Patologjite e dhemballes se pjekurise

Patologjite e dhemballes se pjekurise

Dhëmballa e tretë apo e ashtuquajtura dhëmballa e pjekurisë  shfaqet në arkadën dentare tek femrat rreth moshës 19 vjecare dhe te meshkujt rreth moshës 20 vjecare.

Shenjat e para në grafi të kësaj dhëmballe mund ti gjejmë që në moshën 8 vjecare kur ajo është në fazat e para të zhvillimit të saj. Ky dhëmb kompleton mineralizimin gjatë kohës së daljes së VII dhe fillon të eruptojë kur VII ka kompletuar zhvillimin e rrënjëve. Në këtë moment vëndi në dispozicion i mbetur në nofull për daljen e VIII është shumë i limituar pasi përpara ka koronën e dhëmballës së dytë dhe në pjesën e pasme kufizohet nga ramusi mandibular (këndi i nofullës së poshtme).

Si pasojë e  pamjaftueshmërisë së vendit për të dalë, vetë erupsioni i kësaj dhëmballe shoqërohet me komplikacione të ndryshme si më poshtë:

Perikoroniti I thjeshtë:

Në këtë rast kemi të bëjmë me acarim të gingivës që mbulon dhëmballën e pjekurisë para se ajo të dalë plotësisht në kavitetin oral. Mukoza gingivare shfaqet hiperemike dhe është e dhimbshme në  prekje. Kjo situatë shkaktohet nga kalimi i florës mikrobiale orale në hapësirën gingivare përreth dhëmbit që është në eruptim e sipër. Në raste më të avancuara mund të kemi edhe prani të eksudatit purulent (qelb) në zonën e infektuar por mund të preki edhe muskujt mastikator duke shkaktuar trizmus që shoqërohet me vështirësi në hapjen e gojës dhe vështirësi në gëlltitje.

Disodontiazia

Me disodontiazi kuptojmë vështirësinë e daljes së një elementi dentar.  Në këtë rast vështirësia e daljes së VIII mund të shkaktojë problem te dhëmballa para saj,probleme  këto  të cilat varen nga pozicioni që VIII ka në rrugën e saj të eruptimit dhe të cilat janë:

  • erozion i rrënjës distale të VII me pasojat e nekrozës së këtij dhëmbi
  • komprimim i ligamentit alveolodentar të VII duke dhënë dhimbje periodontale akute
  • Karies distal të VII I cili mund të avancoj edhe më shumë duke cuar në pulpit akut të VII

Inkluzioni

Me këtë term kuptojmë mungesën në arkadën dentare të një dhëmbi të cilit i ka kaluar koha e erupsionit. Kjo situatë nuk ka të bëjë  domosdoshmërisht me praninë e një patologjie. Dhëmbi mund të qëndrojë në nofulla për të gjithë jetën pa simptoma dhë njëkohësisht i formuar plotësisht. Kemi shumë raste kur dhëmballa e pjekurisë qëndron e padalë për gjithë  jetën.

Diagnoza e dhëmballës së pjekurisë është përgjithësisht e qartë pasi pacienti paraqitet në klinikë kur shfaqet ndonjë  nga shqetësimet e mësipërme. Diagnoza konfirmohet nga të dhënat klinike po ashtu edhe nga radiografia e cila mund të jetë edhe panoramex.

Ndërhyrja  në këtë rast është kryesisht kirurgjikale por që në stadet infeksioze mund të shoqërohet edhe me përdorimin e antibiotikëve. Ndërhyrjet në këtë rast janë:

-Operkulektomia e cila ka të bëjë me heqjen e pjesës së mukozës gingivare që mbulon dhëmbin duke sjellë ekspozimin përfundimtar të dhëmbit në arkadë.

-Heqje kirurgjikale e cila është ndërhyrja e zakonshme. Kjo ndërhyrje bëhet edhe në rastet kur VIII duhet të hiqet për arsye ortodontike edhe pse nuk ka asnjë simptomë apo shenjë shqetësuese.

Në cdo rast interventi duhet bërë pas rënies së simptomave inflamatore për të patur një kontrroll të mirë të dhimbjes dhe për të evituar përhapjen e këtij procesi.