Keshilla per femijet tuaj

Keshilla per femijet tuaj

Dhëmbët e përkohshëm janë njësoj të rëndësishëm si dhëmbët e përhershëm. Fëmijët kanë nevojë për dhëmbë të shëndetshëm të cilët i ndihmojnë ata të ushqehen dhe të flasin në mënyrë të rregullt. Gjithashtu dhëmbët e qumështit ruajnë hapësirat për dhëmbët e përhershëm. Humbja para kohe e një dhëmbi të qumështit do të sillte çrregullim në daljen e dhëmbëve të përhershëm.

Për të pasur dhëmbë të shëndetshëm te fëmijët tuaj, është e rëndësishme të ndiqni këshillat e mëposhtme:

1. Mbroni dhëmbët e fëmijëve tuaj me flour.
Fluori mbron dhëmbët nga kariesi, madje mund të parandalojë kariesin fillestar. Në ujin e pijshëm të vendit tonë fluori gjendet në sasi minimale. Që të kemi dhëmbë sa më të shëndetshëm fluorin mund ta marrim nëpërmjet pastave të dhëmbëve që përmbajnë fluor, apo edhe solucioneve xhel që aplikohen nga dentisti.

2. Kontrolloni dhe pastroni dhëmbët e fëmijës tuaj
Dhëmbët e shëndetshëm duhet të jenë të gjithë në një ngjyrë. Nëse vëreni njolla në sipërfaqet e dhëmbëve është mirë që të paraqisni fëmijën për një kontroll rutinë tek dentisti.
Për pastrimin e dhëmbëve të sapodalë tek foshnjat mund të përdorni një garzë të butë dhe të pastër. Pastrojini ata të paktën një herë në ditë sidomos para periudhës së gjumit. Rreth moshës 2 vjeçare duhet të filloni të përdorni pastë të fluorizuar në furçën e dhëmbëve të fëmijës tuaj, por duke pasur parasysh që sasia e pastës e vendosur në furçë të jetë sa një kokërr bizele.
Fëmijët e vegjël nuk mund ti pastrojnë vetë dhëmbët deri rreth moshës 7 vjeçare. Për këtë ju duhet ti ndihmoni duke ia larë fillimisht vetë dhe pastaj lëreni fëmijën që ta mbarojë por gjithmonë duke e kontrolluar.

3. Ushqeni fëmijën tuaj me ushqim të shëndetshëm
Zgjidh ushqime me pak sheqer.
Ushqeni fëmijën me fruta dhe zarzavate ndërmjet vakteve.
Përdorni në minimum biskotat dhe ëmbëlsirat.

4. Mos e vendosni fëmijën në krevat me shishe (biberon) me lëngje të sheqerosura
Lëngjet e frutave dhe pijet freskuese kanë të gjitha sheqer. Nëse këto pije qëndrojnë në gojën e fëmijës për një kohë të gjatë, do të sjellin prishje të dhëmbëve. Dhëmbët e prishur shkaktojnë dhimbje për fëmijën tuaj. Prandaj është e rëndësishme të shmangni përdorimin e shishes me biberon me lëngje gjatë natës tek fëmija juaj. Nëse e përdorni shishen me biberon mbusheni atë vetëm me ujë. Gjithashtu gjatë moshës 1 vjeçare mund ti mësoni fëmijës të përdorë gotën. Nëse fëmija përdor biberon, mos e lyeni atë me sheqer apo mjaltë.

5. Dërgojeni fëmijën tek dentisti për kontroll
Rreth moshës 2 vjeçare ju mund të sillni fëmijën tuaj për një kontroll tek dentisti. Gjatë kësaj vizite dentisti do të kontrollojë dhëmbët e fëmijës, do t’ju tregojë mënyrën më të mirë për të larë dhëmbët si dhe t’ju flasë për një dietë të shëndetshme dhe me fluor që të realizohet shëndeti më i mirë i gojës. Gjithashtu gjatë vizitës fëmija juaj do të ambientohet me ambientin e klinikës si dhe do e ketë shumë më të lehtë për tu paraqitur përsëri në takimet e radhës nëse eksperienca e tij tek dentisti kalon këndshëm dhe pa dhimbje.