Kariesi Dentar

Kariesi Dentar

Kariesi Dentar është një shkatërrim dentar i dhëmbit që shkakton prishjen e tij. Karakterizohet me shkatërrimin e indeve të forta të dhëmbëve duke filluar nga sipërfaqja e duke vazhduar nw thellësi dhe duke përfunduar me formimin e një zgavre në siperfaqen përtypëse ose në ato anësore të dhëmbëve dhe dhëmballeve.

Kjo është sëmundja më e përhapur e njerwzimit. Ajo prek si dhëmbët e qumështit ashtu dhe dhëmbët e përhershëm. Është kryesisht një proces me ecuri të ngadalshme, i cili në fazat e hershme nuk jep shqetwsime për pacientin, por kur avancon në thellwsi atëherë jep shqetësime nga ngacmimet e ndryshme kimike ose mekanike. Në lindjen e kariesit ndikon edhe mosha. Kariesi prek të gjitha moshat pa përjashtim, por më i përhapur është në moshat e reja, në moshat 2 deri 3 vjeç ai është i përhapur me 20-30%, kurse shifra maksimale arrin në moshat 8 deri 10 vjeç, kjo ndodh për faktin se në gojën e fëmijëve kemi dhëmbë të përzier (kemi dhëmbë të qumështit dhe dhëmbë të përhershëm). Në lindjen e kariesit ndikojnë edhe faktorët lokalw si pështyma, cipat dhe guri i dhëmbëve. Kariesi më së shumti lokalizohet në dhëmballën e përhershme, ku në moshat 12 deri 13 vjeç ajo është e përhapur deri 60-70%. Procesi karioz fillon me shpërbërjen e sipërfaqes së smaltit në ndikim të acideve të prodhuara nga mikroorganizmat.

Ndër faktorët kryesore se pse ndodh kariesi janë:

  1. BakterietBakteriet kariogjene te pranishme në pllakën dhëmbore fermentojnë sheqernat e dietës në acide dhe ulin pH e pllakës duke shkaktuar demineralizimin i cili është proces që favorizon daljen e joneve të kalciumit dhe te fosforit dhe nëse zgjat për një kohë të gjatë krijon karies. Menjëherë pas lindjes, në zgavrën e gojës krijohet një ekosistem i përbërë nga bakterie të shumëllojshme. Kolonizimi i zgavrës së gojës nga bakteret “dento-patogjene” kryhet nëpërmjet transmetimit të tyre nga njerëzit dhe kryesisht nga nëna, babai ose kujdestarët e fëmijës. Kariesi i dhëmbëve është një sëmundje infektive e transmetueshme ku transmetimi bakterial bëhet nga nëna tek fëmija dhe nga personi tek personi. Ky risk për karies mund të ulet nga modifikimi i dietës, higjenës së gojës, nëpermjet përdorimit të fluorideve dhe stimulimit të pështymës.
  2. DhëmbiDuhet vlerësuar edhe morfologjia e sipërfaqeve përtypëse të dhëmbit në zhvillimin e kariesit. Dhëmballat e sapodala kanë morfologji okluzale, të shprehur me tuberkula të thepisura dhe me fisura të thella që janë vende retentive për vendosjen e pllakës dhembore.
  3. DietaRoli i dietës në procesin karioz është më tepër lokal sesa sistemik. Aktiviteti kariogjen i ushqimeve varet nga elementët përbërës të tyre dhe ndikohet nga faktorë të ndryshëm. Studimet tregojnë se në rast se kemi reduktim të konsumit të sheqerit kjo shoqërohet me ulje të prevalencës së kariesit dentar dhe e kundërta vendet që kanë relativisht një konsum më të lartë të sheqerit kanë një prevalencë më të lartë të kariesit dentar. Sheqernat dhe karbohidratet e fermentueshme janë faktorët etiologjike kryesor në zhvillimin e kariesit. Karbohidratet e fermentueshme favorizojnë fermentimin bakterial duke ulur pH nga gjendja neutrale ne 5.0.
  4. KohaNë rast se mjekimi i pjesës në të cilën ka filluar të paraqitet kariesi nuk trajohet me kohë nga ana e një dentist atëherë ajo pjesë e dhëmbit do fillojë të zgjerohet dhe të dëmtohet edhe më tutje. Kjo ndodh për shkak se pjesa e bakterieve të lokalizuar në atë pjesë të dhëmbit fillon të shpërndahet dhe të vazhdojë të prishë dhembin. Trajtimi me kohë i dhëmbit parandalon një gjë të tillë.

Shenjat e kariesit

Fillimisht kemi ndryshim të ngjyrës dhe më vonë kur procesi karioz avancon kemi formimin e zgavrës karioze e cila mbushet me mbeturina ushqimore dhe aty rritet përqëndrimi i mikrobeve dhe kjo gjë çon në përshpejtimin e procesit karioz, prishjes së dhëmbit dhe dhëmbi prishet më në thellësi duke çuar deri në prekjen e pulpës (nervit). Me krijimin e zgavrës në dhëmb fillojnë të shfaqen ndjeshmëri nga ngacmues të ndryshëm si ndjeshmëri nga e ftohta, e nxehta, e tharta, e embla. Mos kurimi në kohë do të çojë deri në prekjen e nervit. Në këtë rast dhimbjet do behën me të padurueshme, trajtimi mund të çojë në heqjen e nervit dhe dhëmbi nuk ushqehet me. Dhimbja e një dhëmbi të vetëm mund të çojë në prishjen e funksionit normal të përtypjes sepse nga dhimbja që mund t’iu shkaktoj një dhëmb iu kur përtypni ushqimin do e përtypni në anën e kundërt të dhëmbit të prishur dhe si pasojë prishet funksioni normal i nofullave.

Mjekimi i kariesit

Mjekimi i kariesit synon largimin ose pakësimin e veprimit të ngacmuesve e faktorëve, të cilët nxisin demineralizimin e indeve të forta të dhëmbëve, pra ndërprerjen e zhvillimit të procesit karioz, dhe në rast të formimit të zgavrave karioze në sipërfaqen e dhëmbëve në zëvendësimin e defektit me anë të mbushjes së tij. Sot duke u nisur nga përhapja e shpejt dhe e lartë e kariesit, si edhe nga pasojat që jep, një vend të rëndësishëm zënë edhe masat parandaluese, të cilat synojnë rritjen e qëndrueshmërisë së indeve të dhëmbëve ndaj ngacmuesve të jashtëm. Masat profilaktike janë të lidhura me veçoritë e çdo moshe, por efikasiteti i tyre është më i madh në moshat e reja, duke filluar që nga shtatzënia e duke vazhduar deri në moshën shkollore e gjatë gjithë jetës së individit me masat vetjake të profilaksisë. Mjekimi i kariesit ka për qëllim se pari-ndërprerjen e mëtejshme të zhvillimit në thellësi të procesit karioz, së dyti zëvendësimin e formave anatomike të dhëmbit, së treti rikthimin e funksionit përtypës, dhe së katërti rikthimin e estetikës.