Drejtimi i padukshëm i dhëmbëve është metoda më moderne për drejtimin e tyre. Në këtë metodë përdoren një seri plastikash të cilat prodhohen vetëm për dhëmbët tuaj. Këto plastika përbëhen prej materiali të butë e vizualisht të padallueshëm që vendoset mbi dhëmbët tuaj. Mbajtja e plastikave i zhvendos gradualisht dhëmbët në pozicionin e duhur, pozicion i cili është përcaktuar që më përpara nga dentisti. Me këtë teknikë, nuk keni nevojë të mbani braketa metalike dhe telat që lidhin ato me njëra tjetrën. E vetmja gjë që duhet të bëni është të ndërroni plastikat dhe të vendosni një plastikë të re çdo dy javë për sa kohë që zgjat trajtimi. Ju do të keni një buzëqeshje të re pa u kufizuar nga aktivitetet tuaja të përditëshme. Më e veçanta e gjithë këtij procesi është se shumica e njerëzve që takoni as që e dallojnë se jeni duke mbajtur plastika për drejtimin e dhëmbëve.
Si funksionon
Mund të jeni tashmë në dijeni se si funksionojnë plastikat megjithatë më poshtë do paraqesim etapat që nga konsulta me ne deri tek buzëqeshja juaj e re.
-
Konsulta me dentistin
Faza e parë e këtij trajtimi ka të bëjë me konsultën që bëni tek ne. Gjatë konsultës, diskutojmë në detaje rastin tuaj në mënyrë që të vendosim nëse trajtimi me plastika është i duhuri dhe i realizueshëm tek ju. Plastikat tashmë trajtojnë një sërë problemesh, që nga ato më të thjeshtat deri tek rastet më komplekse, por gjithësesi gjatë konsultimit ju sqaroheni në detaje për rastin tuaj si dhe për kohëzgjatjen e mundshme të trajtimit.
-
Caktimi i planit të trajtimit
Në fazën e dytë të punës, ne marrim masën e dhëmbëve tuaj, masë të cilën më pas e përdorim për ta kthyer në informacion digital 3-D në kompjuterin e punës. Nga përpunimi i modelit të dhëmbëve në kompjuter, krijojmë një plan trajtimi konkret për rastin tuaj dhe mund t’ju informojmë edhe më konkretisht si për lëvizjet që do të bëhen tek dhëmbët tuaj, po ashtu edhe për kohëzgjatjen e trajtimit. Gjithashtu mund tju tregojmë në mënyrë virtuale se si dhëmbët do të lëvizin gjatë çdo faze të punës. Duke qënë se çdo rast është i vecantë dhe i ndryshëm nga të tjerët, kohëzgjatja e trajtimit shkon nga 8-16 muaj me një mesatare prej një viti tek të rriturit.
-
Merrni plastikat e prodhuara për ju
Bazuar në planin tuaj të trajtimit, një seri plastikash prodhohen posaçërisht për ju. Ndryshe nga braketat metalike, plastikat përbëhen nga material i butë, komfort dhe që nuk irriton faqet apo mishrat e dhëmbëve. Ju duhet vetëm t’i mbani ato gjatë gjithë kohës, e t’i hiqni kur hani apo kur doni të lani dhëmbët. Ndërkohë që ju i mbani, dhëmbët fillojnë të lëvizin në pozicionin e duhur.
-
Vendosni një plastikë të re cdo dy javë.
Në këtë fazë ju merrni serinë e plotë të plastikave të prodhuara për ju. Këtu fillon edhe puna juaj për drejtimin e dhëmbëve. Përafërsisht çdo dy javë, duhet të vendosni një plastikë të re, duke kaluar kështu në fazën e radhës të trajtimit. Por në mënyrë që ne të monitorojmë progresin e trajtimit, duhet të paraqiteni për kontroll një herë në 6 javë. Për të pasur rezultatin e dëshiruar dhe në kohëzgjatje optimale, duhet t’i mbani plastikat në dhëmbë minimalisht për 20-22 orë në ditë. Gjatë çdo faze, ju vetë do të shikoni se si dhëmbët tuaj afrohen drejt buzëqeshjes që ju keni dëshiruar.
Buzëqeshni lirshëm dhe kujdesuni për të ruajtur rezultatin
Urime! Mbas mbajtjes së plastikave sipas udhëzimeve që ju janë dhënë dhe për kohëzgjatjen e duhur, ju tashmë keni arritur në fund të trajtimit. Eshtë koha që të tregoni buzëqeshjen tuaj të re. Pas gjithë kësaj kohe të shpenzuar për drejtimin e tyre, tashmë ju duhet të kujdeseni edhe për të ruajtur rezultatin e arritur. Duhet të paraqiteni tek ne për të vlerësuar nëse duhet të mbani retainer për të ruajtur pozicionin e arritur të dhëmbëve tuaj. Retaineri konsiston në një plastikë, të njejtë në material me atë që keni mbajtur gjatë trajtimit, por që ju e vendosni vetëm natën dhe e cila ruan dhëmbët në pozicionin optimal të arritur.
Rastet që mund të trajtohen me invisalign
Me plastikat e padukshme mund të trajtohen një seri rastesh duke u nisur që nga me të thjeshtat me disa dhëmbë të shtrembër apo të dalë më përpara, deri tek ato më të vështirat të cilat përfshijnë problemet me okluzionin: kafshimin e thellë apo kafshimin e kryqëzuar.
Më poshtë do paraqesim disa prej rasteve që mund të rregullohen me anë të plastikave të padukshme. Por gjithësesi, nëse keni një problem dentar specifik i cili nuk është i paraqitur më poshtë, ne do të ishim të gatshëm t’ju konsultonim në klinikë dhe të vendosnim nëse trajtimi me plastika është i duhuri për ju.
-
Dhëmbët me hapësira
Hapësirat midis dhëmbëve mund të vijnë nga një rritje e tepruar në dimensione e nofullave. Mungesa e një dhëmbi mund të shkaktojë gjithashtu zhvendosjen e dhëmbëve fqinjë drejt kësaj hapësire, duke sjellë si pasojë mungesën e kontaktit midis dhëmbëve.
Ekzistenca e këtyre hapësirave midis dhëmbëve mund të çojë në probleme me mishrat (pasi gingivat në këtë rast nuk ruhen nga kontaktet midis dhëmbëve), xhepa paradontalë dhe risk më të lartë për sëmundje periodontale.
-
Kafshim i thellë
Me kafshim të thellë kuptojmë rastet kur dhëmbët e sipërm mbulojnë më shumë se ç’duhet dhëmbët e poshtëm. Më shumë kjo anomali ka prejardhje gjenetike, por mund të vijë edhe si pasojë e veseve të keqija apo nga mbizhvillimi i kockës që suporton dhëmbët.
Kjo situatë gjithashtu mund të sjellë problem apo irritim të gingivave, konsum të dhëmbëve të poshtëm, si dhe mund të shkaktoj probleme të kyceve të dhëmbëve.
-
Kafshim i kryqëzuar anterior
Kemi kafshim të kryqëzuar kur dhëmbët e poshtëm dalin më përpara dhëmbëve të sipërm (normalisht dhëmbët e sipërm janë më përpara dhe mbulojnë dhëmbët e poshtëm.) Mund të vijë si pasojë e një hipozhvillimi të nofullës së sipërme, hiperzhvillimi të nofullës së poshtme apo e të dyjave së bashku.
Gjithashtu mungesa e një apo disa dhëmbëve të sipërm mund të jetë shkaktare e kafshimit të kryqëzuar anterior. Si pasojë kemi mosfunksionim normal të kafshimit me dhëmbët e parë apo edhe me dhëmballët, gjë e cila shkakton konsumim të dhëmbëve. Gjithashtu mund të shkaktoj dhimbje të kyceve dhe problem në artikulacion.
-
Kafshim i hapur
Kemi kafshim të hapur kur dhëmbet nuk takojnë me njëri tjetrin për të realizuar kafshimin. Mund të vijë nga shkaqe gjenetike (strukturë jo normale e nofullave) ose nga vesi i thithjes së gishtit i cili zgjat shumë në kohë.
Kafshimi i hapur mund të shkaktoj mospërtypje të mirë të ushqimeve por edhe dëmtim të të folurit. Gjithashtu mund të çojë në dëmtime serioze të artikulacionit temporo-mandibular.
-
Dhëmbë të ngjeshur
Grumbullimet dentare ndodhin kur nuk ka vend të mjaftueshëm për të gjithë dhëmbët që të rreshtohen normalisht.
Në rastet kur lihen pa trajtuar, këto grumbullime përkeqësohen duke rezultuar në edhe më shumë dhëmbë të shtrembër. Dhëmbët e ngjeshur janë më të predispozuar për të formuar gurëza, prishen më shpejt dhe kanë më shumë shance të kenë probleme të mishrave.
-
Kafshim i kryqezuar posterior.
Kafshimi i kryqëzuar ndodh kur nofulla e sipërme nuk e mbulon të poshtmen, por është më e vogël në madhësi se ajo. Si pasojë një ose disa dhëmbë të sipërm takojnë me sipërfaqen e brendëshme të dhëmbëve të poshtëm.
Kjo mund të ndodhë si në rregjionin anterior ashtu edhe në atë posterior në një apo të dy krahët. Nga ky kafshim traumatik kemi dëmtim të dhëmbëve, sëmundje të mishrave dhe humbje të kockës që mbështet dhëmbët.