Implantet

Implantet

Implantet në ditët e sotme përdoren për zëvendësimin e dhëmbëve që mungojnë në arkadën dentare.
Me implant kuptojmë një vidë të vendosur në kockën alveolare të nofullës, e cila inkorporohet me të në një periudhë prej 3-6 muajsh. Në njëfarë mënyre, ai shërben si zëvendësues i rrënjës së dhëmbit që mungon. Është kjo “rrënjë artificiale” e cila më pas do të shërbejë si mbështetje për kurorën apo urën që do vendoset mbi të. Procesi i inkorporimit të implantit me kockën quhet osteointegrim, proces ky që çon në stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e implantit.Implantet janë prej titaniumi, material ky që nuk njihet si i huaj nga trupi duke lejuar kështu integrimin e tij në kockë.
Implanti mund të përdoret për të zëvendësuar një dhëmb, disa prej tyre ose të gjithë dhëmbët.

Për zëvendësimin e dhëmbëve që mungojnë ekzistojne tre mundësi:
1. Protezat parciale ose totale
2. Punimet protetike fikse si urat
3. Implantet

Protezat parciale apo totale janë opsionet më të lehta dhe më ekonomike për zëvendësimin e dhëmbëve por janë me pak të pranuara nga pacientët si pasoje e parehatisë që sjell të pasurit e një proteze të lëvizshme në gojë. Urat, ishin zgjidhja më e përdorur për zëvendësimin e dhëmbëve para krijimit te implanteve por disavantazhi që ato kanë me implantet është se duhet të punohen dhëmbët e tjerë për të vendosur urën mbi to. Përkundrazi, implantet vendosen në kockë dhe si pasoje nuk kemi nevojë të punojmë dhëmbët natyralë për të vendosur kurorën apo urën.

Por edhe vendosja e implanteve varet nga disa faktore si psh:
-pozicioni i dhëmbit që mungon
-sasia dhe cilësia e kockës mbi të cilën do vendoset implanti (nëse kemi kockë të mjaftueshme)
-kushtet shëndetësore të pacientit
-kostoja
-preferenca e pacientit

Por gjithsesi implanti ngelet zgjidhja më e mirë për zëvendësimin e një dhëmbi që mungon pasi integrohet plotësisht me kockën duke mos u varur fare nga dhëmbët fqinjë dhe duke pasur ndjesinë dhe pamjen e një dhëmbi natyral. I takon dentistit kirurg që të vendosë nëse një pacient është kandidati i duhur për të vendosur implantin ose jo.
Tipet e ndryshme të implanteve
1- Implante që përdoren për zëvendësimin e një dhëmbi që mungon
2- Implante që përdoren si mbështetës për protezat e lëvizshme duke rritur stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e tyre.
3- Mini-implantet të cilat përdoren në trajtimet ortodontike për të ndihmuar në ankorim gjatë lëvizjes se dhëmbëve në pozicionin e dëshiruar. Këto janë më të vegjël se implantet normale dhe hiqen përsëri në fund të trajtimit ortodontik.

Vendosja e implanteve bëhet nën anestezi lokale dhe ju nuk ndjeni asnjë dhimbje gjatë ndërhyrjes. Pas daljes se anestezisë mund të ndjeni ose jo një diskomfort të lehtë, më pak se ç’ndihet pas heqjes së një dhëmballe normale. Mund të keni nevojë të merrni vetëm një qetësues të grupit të ibuprofenëve për të parandaluar dhimbjen.
Në takimin e parë bëhet vendosja e implantit në kockë nëpërmjet pajisjeve të caktuara. Pas vendosjes së tij duhet të presim një periudhë të caktuar kohe prej 3-6 muaj e cila është koha e mjaftueshme dhe e domosdoshme për integrimin e implantit në kockë. Gjatë kësaj kohe mund të vendoset një punim provizor në mënyrë që ju të mos dukeni pa dhëmbë por gjithsesi ky punim nuk duhet të shkaktojë asnjë forcë të tepërt mbi implant pasi mund të kompromentonte osteointegrimin e tij në kockë.
Pas periudhës kohore të shërimit implanti testohet nëse është fiksuar në kockë dhe për rrjedhojë është gati për punimin që do vendoset mbi të. Nëse çdo gjë është mire ,mbi implant vendoset monkoni (pjesa mbi gingivë e implantit që është kulti mbi të cilin do vendoset korona apo ura.) Më pas merret masa dhe dërgohet në laborator për të bërë edhe punimin protetik fiks përfundimtar mbi implant.
Që një implant të jetë i suksesshëm duhet të keni:
• Gjendje shëndetësore të përgjithshme të mirë
• Sasi optimale te kockës në vendin e planifikuar për vendosjen e implantit
• Higjienë të mirë orale për të redukuar komplikimet
Shanset e suksesit të implantit ulen nëse vuani nga diabeti apo jeni konsumues të alkolit edhe duhanit.
Përkujdesja pas vendosjes së implanteve:
Implantet mund të rrezikohen nga ajo që quhet “periimplantit” e cila është ekuivalentja e sëmundjes periodontale tek dhëmbët natyralë. Në këtë rast kemi të bëjmë me inflamacion të mishrave dhe të kockës që rrethon implantin i cili nëse lihet pa trajtuar mund të çojë deri në humbje të tij.
Pra është shume e rëndësishme mbajtja e një higjiene shumë të mirë për të evituar riskun e periimplantit. Kjo konsiston në larjen e duhur të gojës si me furçë e me fill dentar, si dhe kontrolle të here pas hereshme tek dentisti për të vlerësuar gjendjen e gingivave dhe të kockës që rrethon implantin.
Ashtu si edhe për dhëmbët natyralë higjiena dhe kontrollet e vazhdueshme shtojnë jetëgjatësinë e implanteve si edhe të punimeve protetike që janë mbi të.